Shqipëria, e para në botë për sigurinë kibernetike sipas NCSI
Shqipëria renditet në vendin e parë në botë në National Cyber Security Index (NCSI), me një rezultat prej 98.33 pikësh, duke u pozicionuar në krye të klasifikimit global për nivelin e zhvillimit të kapaciteteve kombëtare në fushën e sigurisë kibernetike.
Ky pozicionim shënon një përmirësim të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm në renditjen ndërkombëtare: nga vendi i 54-t në vitin 2023, në vendin e 15-të në vitin 2025 dhe tashmë në vendin e parë në botë.
National Cyber Security Index vlerëson kapacitetet e vendeve për parandalimin dhe menaxhimin e rreziqeve kibernetike, mbrojtjen e shërbimeve thelbësore, reagimin ndaj incidenteve, zhvillimin e politikave dhe strategjive kombëtare, edukimin dhe formimin profesional, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Rezultati i Shqipërisë pasqyron progresin e arritur në forcimin e kuadrit ligjor dhe strategjik, konsolidimin e strukturave përgjegjëse, zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale, si dhe përmirësimin e mekanizmave të koordinimit, parandalimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve kibernetike.
Kjo renditje reflekton gjithashtu punën e vazhdueshme të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike për rritjen e qëndrueshmërisë së infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, forcimin e bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar dhe zhvillimin e një ekosistemi të sigurt e të qëndrueshëm kibernetik.
Renditja në vendin e parë konfirmon avancimin e Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike dhe përputhjen e kapaciteteve kombëtare me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Linku i raportit: https://ncsi.ega.ee/country/al/
